Shtyhet fillimi i dëshmive të dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara – mbrojtja kërkon më shumë kohë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e fillimit të dëshmive të dëshmitarëve, duke bërë që këto seanca të mos nisin as në korrik, as në gusht, por në shtator.
Avokati Taulant Hodaj, në një prononcim për RTK, theksoi se mbrojtja është dashur të përgatitet më herët për të shmangur vonesat në proces. Ai vuri në dukje dallimet mes strategjive mbrojtëse të të akuzuarve, duke thënë se mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ka më shumë dëshmitarë se ajo e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
“Sasia më e vogël e dëshmitarëve nga disa prej mbrojtjeve mund të nënkuptojë që ata janë të bindur në qëndrueshmërinë e dëshmive të Prokurorisë dhe nuk shohin nevojë për dëshmi shtesë për të forcuar qëndrimet e tyre”, u shpreh Hodaj.
Ndërkohë, avokati Ardian Bajraktari ka ngritur shqetësime lidhur me kohën e kufizuar që i është dhënë mbrojtjes për paraqitjen e dëshmitarëve.
“Vendosja e një afati kaq të shkurtër e vë palën mbrojtëse në pozitë të pabarabartë dhe bie ndesh me parimin e barazisë së palëve në proces. Fakti që mbrojtja ka paralajmëruar pak dëshmitarë tregon që procesi po i afrohet përfundimit dhe pritet të mbyllet në shkallë të parë deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit të ardhshëm”, deklaroi Bajraktari për RTKlive.
Seanca përgatitore për këtë fazë pritet të mbahet në fund të gushtit, ku do të qartësohen më shumë hollësi rreth ecurisë së mëtejshme të procesit gjyqësor.