Kosova

Shtyhen seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendimi pritet në fillim të vitit të ardhshëm

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shtyrë për në muajin nëntor. Procesi ishte paraparë të vazhdonte të hënën, por për arsye praktike dhe logjistike, seancat e planifikuara nga 27 deri më 30 tetor janë anuluar.
“Sipas kalendarit gjyqësor, seanca e radhës do të mbahet më 3 nëntor 2025”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Me këtë shtyrje, në muajin nëntor janë paraparë 16 seanca gjyqësore, ndërsa në dhjetor do të zhvillohen tetë të tjera, para se procesi të ndërpritet për pushimet dimërore.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Fatmir Sopi, e ka quajtur zvarritjen e procesit si diçka tashmë të zakonshme, por theksoi se shqetësuese është refuzimi i provave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit për krimet serbe në Kosovë.
“Sjellja e gjykatës tregon qartë se ajo ka marrë anën e prokurorisë. Është turp që dëshmitë për krimet e pushtuesit serb konsiderohen jo relevante, kur dihet se janë vrarë e masakruar mijëra civilë në Kosovë”, tha Sopi për RTK.

Në të njëjtën linjë, avokati Ardian Bajraktari tha se vendimi i shkallës së parë për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët mund të pritet në fillim të vitit të ardhshëm, por vuri në dukje se refuzimi i provave të mbrojtjes dhe pranimi i atyre nga institucionet serbe paraqet padrejtësi.
“Sipas bindjes sime, kjo tregon mungesë të vullnetit të gjykatës për të zbardhur të vërtetën e ngjarjeve të viteve 1998-1999, kur dihet qartë se krimet janë kryer nga forcat serbe”, deklaroi Bajraktari.

Gjatë muajit nëntor pritet të dëshmojë dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Thaçit, ndërsa në shenjë kundërshtimi ndaj procesit, pas protestave të zhvilluara në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, është paralajmëruar një tjetër protestë në një kryeqytet evropian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button