Kosova

Shtohet pasiguria për zgjedhjet lokale: KQZ-ja shtyn mbledhjen për buxhetin e 12 tetorit

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ishte planifikuar të mbahej sot në orën 13:30, është shtyrë në një afat të pacaktuar. Lajmin e ka konfirmuar vetë KQZ përmes një njoftimi të shkurtër, ku thuhet se “mediat do të njoftohen me kohë për ditën se kur do të mbahet kjo mbledhje”, pa dhënë më shumë detaje.

Në mbledhjen e sotme ishte paraparë të diskutohej për çështje kyçe që ndërlidhen me organizimin e zgjedhjeve lokale të planifikuara për datën 12 tetor 2025. Në rendin e ditës përfshihej raportimi dhe diskutimi rreth rishpërndarjes së buxhetit të aprovuar të KQZ-së për këtë vit, si dhe kërkesa për ndarje shtesë të fondeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Megjithatë, deri më tani, qeveria në detyrë nuk i është përgjigjur kërkesës së KQZ-së për buxhetin shtesë. Edhe pse kanë kaluar dy javë që nga dorëzimi i kërkesës, ekzekutivi nuk e ka shqyrtuar ende këtë çështje, duke krijuar pasiguri për realizimin e përgatitjeve brenda afateve të nevojshme.

Shtyrja e mbledhjes vjen në një kohë të ndjeshme për administrimin zgjedhor, duke ngritur shqetësime për përgatitjet logjistike dhe teknike që kërkon mbajtja e zgjedhjeve lokale në afatin e parashikuar.

Pritet që KQZ të dalë me një njoftim të ri mbi mbajtjen e mbledhjes dhe zhvillimet e mëtejme në lidhje me buxhetin dhe përgatitjet për zgjedhjet e 12 tetorit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button