Shtohet dyshimi për sigurinë: Deputetja Deliu kritikon ftesën për seancë në orën 20:00 pa konfirmim nga Policia

Pas kërcënimit me bombë që çoi në evakuimin e Kuvendit të Kosovës, Sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, bëri të ditur se me kërkesë të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, seanca konstituive do të vazhdojë sonte në ora 20:00.
Megjithatë, kjo ftesë ka ngjallur reagime. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka shprehur habinë e saj për mënyrën se si është marrë vendimi për rikthimin në Kuvend, ndërkohë që Policia ende nuk ka përfunduar kontrollin dhe nuk ka publikuar asnjë deklaratë zyrtare mbi sigurinë e objektit.
“Pa dashur të hyjmë në spekulime, por ftesa për seancë në orën 20:00 është, të paktën, e çuditshme. Kontrolli në Kuvend pas alarmit për bombë ende nuk ka përfunduar. Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Policia. E megjithatë, dërgohet ftesa për seancë – sikur gjithçka është në rregull,” ka shkruar Deliu në një reagim publik.
Ajo ka shtuar se edhe në momentin kur ka bërë postimin, pjesëtarët e Policisë ende po kryenin kontrolle brenda ambienteve të Kuvendit.
Seanca konstituive ishte paraparë të mbahej sot në ora 11:00, por u shty pas alarmit për bombë dhe evakuimit të ndërtesës. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet e sigurisë nëse ambientet janë plotësisht të sigurta për mbajtjen e seancës në orën e caktuar.