Shqiptari përfundon në pranga në Greqi: Tentoi të rrëmbente tre fëmijë ditën e Pashkës

Një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet greke pasi tentoi të rrëmbente tre fëmijë në zonën rurale të Petrochorit, në perëndim të Greqisë. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës së Pashkës, kur i dyshuari tentoi t’i fuste me forcë në makinën e tij dy vëllezër 9 dhe 13 vjeç, si dhe një fëmijë tjetër 10-vjeçar.
Prindërit e fëmijëve njoftuan menjëherë policinë, e cila nisi kërkimet intensive. Pasi lokalizuan mjetin e shqiptarit, efektivët i kërkuan të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit dhe u përpoq të arratisej. Pas një ndjekjeje që zgjati rreth 20 minuta, ai u kap nga forcat e rendit.
Testi i alkoolit tregoi se 37-vjeçari drejtonte në gjendje të rënduar nga pijet alkoolike, me një nivel prej 0.56 dhe 0.54 gramë për litër. Gjithashtu, rezultoi se ai nuk kishte një leje drejtimi të vlefshme.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë tentativën për rrëmbim fëmijësh, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe rezistencë ndaj arrestimit. Autoritetet greke po hetojnë më tej për të zbuluar nëse ai është i përfshirë në raste të tjera të ngjashme.