Lajme

Shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e bashkatdhetarit të tij

Një shqiptar 41-vjeçar, Kelmend M., është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Darmstadt-it në Gjermani, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkatdhetarit të tij, Arben G., 45 vjeç. Krimi ndodhi pas një përplasjeje të gjatë mes tyre, e cila sipas autoriteteve, mund të jetë shkaktuar për çështje droge ose për motive xhelozie.

Kelmend M. pranoi krimin para trupit gjykues, por deklaroi se kishte menduar se rivali i tij do ta qëllonte i pari me armë. Megjithatë, gjykata theksoi se viktima ishte krejtësisht i pambrojtur në momentin e sulmit. Pamjet e siguruara nga autoritetet tregojnë se autori ka shkuar i armatosur dhe i maskuar për ta vrarë Benin, siç njihej viktima në komunitet.

Sipas dëshmisë së Kelmendit, më herët Arben G. i kishte prerë llapën e veshit të djathtë në shenjë poshtërimi. “Në Shqipëri, veshi u pritet qenve për t’i nënshtruar,” tha ai para gjykatës, duke shtuar se nuk e kishte pranuar këtë poshtërim.

Të dy shqiptarët ishin të njohur për përfshirje në tregtinë e drogës, si konsumatorë dhe shpërndarës. Arben G. ishte hetuar më herët për aktivitet kriminal dhe konsiderohej si një “tip i fortë” në qarqet ku lëvizte.

Pas vrasjes, Kelmend M. u arratis në Suedi, ku qëndroi për një periudhë, por u arrestua më vonë dhe u ekstradua në Gjermani për t’u përballur me drejtësinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button