Lajme

Shqiptarët punojnë më shumë se të gjithë në Europë, por paguhen më pak

Në vitin 2023, qytetarët e Bashkimit Europian të moshës 20-64 vjeç, punuan mesatarisht 36.1 orë në javë në punën e tyre kryesore, sipas të dhënave të Eurostat. Megjithatë, këto orë pune ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve anëtare.

Greqia kryeson me javën më të gjatë të punës (mesatarisht 39.8 orë), ndjekur nga Rumania (39.5), Polonia (39.3) dhe Bullgaria (39.0). Në anën tjetër, Holanda ka javën më të shkurtër të punës me vetëm 32.2 orë, e ndjekur nga Austria (33.6) dhe Gjermania (34.0).

Ndërkohë, Shqipëria lë pas të gjitha vendet europiane sa i përket kohës që qytetarët i kushtojnë punës. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2023, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë mesatarisht 43.7 orë në javë – rreth 7.6 orë më shumë se mesatarja europiane.

Sektori me orarin më të gjatë të punës në Shqipëri është prodhimi (46.5 orë), i ndjekur nga ndërtimi (45.6) dhe bujqësia (44.8), ndërsa administrata publike ka orarin më të shkurtër (40 orë).

Pas Shqipërisë renditet Turqia me 43.1 orë punë në javë. Edhe vendet e tjera të Ballkanit shfaqin tendenca të ngjashme: në Mal të Zi punonjësit punojnë mesatarisht 42.8 orë në javë, në Serbi 41.3, në Bosnjë 41.2 dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 40 orë.

Pavarësisht këtij angazhimi të lartë, Shqipëria mbetet vendi me pagat më të ulëta në rajon, si për pagën minimale, ashtu edhe për atë mesatare.

Në nivel europian, pjesa më e madhe e të punësuarve (37.1%) punojnë mesatarisht nga 40 deri në 44.5 orë në javë. Vetëm 7.1% e tyre punojnë më pak se 20 orë në javë. Ky diapazon (40-44.5 orë) është më i përhapuri në shumicën e vendeve, me përjashtim të Irlandës, Finlandës, Belgjikës, Francës dhe Danimarkës, ku pjesa më e madhe punon 35-39.5 orë në javë.

Përqindja më e lartë e të punësuarve që punojnë në diapazonin 40-44.5 orë u regjistrua në Bullgari (82.2%), Rumani (80.2%) dhe Letoni (77.7%). Përqindjet më të ulëta u shënuan në Belgjikë (16.1%), Francë (13.3%) dhe Danimarkë (10.6%).

Kjo panoramë tregon kontrastin mes përkushtimit në punë dhe shpërblimit financiar në Shqipëri dhe pjesën tjetër të Europës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button