Lajme
Kryesore

Shqipërisë i duhen 20 vite për t’u klasifikuar si vend me të ardhura të larta, sipas Bankës Botërore

Shqipëria pritet të mbetet për të paktën edhe dy dekada në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme të larta, sipas raportit të pranverës së Bankës Botërore për vendet e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA).

Të dhënat tregojnë se të ardhurat për frymë në Shqipëri arritën në rreth 8,500 dollarë amerikanë në vitin 2023. Megjithatë, për të kaluar në grupin e vendeve me të ardhura të larta – i cili fillon nga pragu prej 14 mijë dollarësh për frymë – do të duhen afërsisht 20 vite nëse ruhet ritmi aktual i rritjes.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria renditet aktualisht në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ku përfshihen ekonomitë me të ardhura për frymë nga 4,500 deri në 14,000 dollarë në vit. Klasifikimi bëhet në katër nivele: të ulëta, të mesme-të ulëta, të mesme-të larta dhe të larta.

Edhe më i largët duket objektivi për të arritur standardet e jetesës që ka sot Bashkimi Europian. Projeksione të tjera nga BERZH tregojnë se Shqipërisë do t’i duhen më shumë se 50 vite për t’i kapur këto nivele.

Vendet e tjera të Ballkanit si Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë më afër këtij objektivi, me afate që variojnë nga 10 deri në 18 vite. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka një rrugë disi më të gjatë përpara.

Nga ana tjetër, për vende si Gjeorgjia, Uzbekistani, Kirgistani dhe Armenia, kjo arritje shihet si pothuajse e paarritshme brenda një shekulli.

Raporti vë në dukje se pandemia dhe pasojat e saj ekonomike kanë shkaktuar devijime negative në pothuajse të gjitha nënrajonet e ECA-s, përveç Turqisë dhe disa pjesëve të Azisë Qendrore. Turqia është përjashtimi pozitiv, pasi ka tejkaluar pritshmëritë me një rritje prej 10% në krahasim me projeksionet e vitit 2019.

Ndër vendet që këtë vit kanë kaluar zyrtarisht në kategorinë e vendeve me të ardhura të larta janë Bullgaria, Rusia dhe Ishujt Palau. Rritja e qëndrueshme ekonomike pas pandemisë ka ndihmuar këto vende të arrijnë pragun e nevojshëm për klasifikim.

Banka Botërore rekomandon që vendet e rajonit të përqendrohen në politika të reja zhvillimore, investime në kapitalin njerëzor dhe përshpejtim të integrimit ekonomik dhe teknologjik, si rrugëdalje nga stanjacioni aktual ekonomik.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button