Shqipëria, vendi i parë që përdor AI në procesin e negociatave me BE-në

Shqipëria është bërë vendi i parë që përdor inteligjencën artificiale (AI) në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”.
Rama theksoi se ky hap inovativ është rezultat i bashkëpunimit me Mira Muratin, ish-drejtuese e kompanisë OpenAI, si dhe falë punës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). “Me Mira Muratin jemi lidhur që në javën e parë pas daljes së ChatGPT në treg. Sot, falë bashkëpunimit me Mirën dhe punës së AKSHI-t, negociatat me BE bëhen me inteligjencë artificiale,” deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, AI po përdoret për përkthimin dhe harmonizimin e mbi 250 mijë faqeve të trupit ligjor të BE-së, me një përpikmëri prej 99.9%. Rama theksoi se ky proces, që Kroacisë i mori 7 vite, do të përfundohet nga Shqipëria brenda afatit të dakordësuar me Komisionin Evropian, deri në vitin 2027.
“Ky është një hap gjigant drejt modernizimit të administratës dhe përshpejtimit të integrimit evropian,” përfundoi Rama.