Lajme

Shqipëria me produktivitetin më të ulët të punës në Rajon – OECD: Pa reforma, hendeku me BE-në do thellohet

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vijojnë të përballen me nivele të ulëta produktiviteti pune në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, por situata më problematike regjistrohet në Shqipëri. Sipas një analize të fundit të publikuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Shqipëria rezulton të ketë produktivitetin më të ulët ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).

Të dhënat për periudhën 2020-2023 tregojnë se prodhimi mesatar për orë pune në Shqipëri është vetëm 18 dollarë amerikanë – dukshëm më pak se mesatarja rajonale prej 27 USD dhe shumë larg nivelit të BE-së prej 68 USD për orë. Në krahasim me periudhën 2014-2016, progresi ka qenë i ngadaltë, me vetëm 1 USD rritje për orë pune.

Në krye të listës për produktivitet në rajon renditet Mali i Zi me 33 USD për orë, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 31 USD, Kosova me 27 USD, Serbia me 25 USD dhe Bosnja me 23 USD. Shqipëria qëndron në fund të renditjes, duke prodhuar rreth 35% më pak se mesatarja rajonale dhe vetëm një të katërtën e asaj që prodhon një punonjës mesatar në BE.

OECD thekson se niveli i ulët i produktivitetit në Shqipëri është rezultat i strukturës së ekonomisë, e cila dominohet nga sektori i bujqësisë dhe tregtia me vlerë të shtuar të ulët. Investimet në makineri, automatizim dhe teknologji të informacionit janë ndër më të ultat në rajon, duke kufizuar ndjeshëm rritjen e efiçencës dhe inovacionit.

Për më tepër, informaliteti i lartë dhe emigrimi masiv po ndikojnë negativisht në fuqinë punëtore. Shumë biznese shqiptare funksionojnë jashtë skemave formale, çka ndikon në përdorimin e dobët të kapaciteteve dhe frenon zhvillimin. Ndërkohë, largimi i të rinjve dhe profesionistëve po varfëron kapitalin njerëzor të vendit, duke e bërë më të vështirë kalimin drejt një ekonomie moderne dhe konkurruese.

Sipas OECD-së, nxitja e produktivitetit nuk është më një zgjedhje për Shqipërinë, por një domosdoshmëri për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe paga më të larta. Investimi në arsim cilësor, trajnime profesionale dhe krijimi i kushteve për të mbajtur talentet brenda vendit janë thelbësore për të kapërcyer hendekun me rajonin dhe BE-në.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se pa ndërhyrje të thella strukturore dhe pa mbështetje për inovacionin dhe kapitalin njerëzor, Shqipëria rrezikon të mbetet prapa në garën për zhvillim ekonomik dhe integrim europian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button