Shqipëria me pagën minimale më të ulët në rajon, vetëm 408 euro në muaj

Paga minimale mujore bruto në Shqipëri arriti në 408 euro në fund të qershorit, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat. Ky nivel e rendit Shqipërinë si vendin me pagën më të ulët minimale në Europë, përjashtuar shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe dukshëm më pak se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në rajon, pagën më të lartë minimale e ka Mali i Zi, me 670 euro në muaj, e cila është dyfishuar krahasuar me katër vite më parë. Serbia renditet e dyta, me 618 euro në muaj, duke shënuar një rritje prej gati 70% krahasuar me vitin 2021. Pas saj vjen Maqedonia e Veriut me 584 euro në muaj, ndërsa në Bosnjë paga minimale varion nga 511 deri në 660 euro.
Kosova, sipas të dhënave vendore, nga 1 tetori ka rritur pagën minimale në 350 euro. Megjithatë, krahasimi tregon se tre vendet kryesore të rajonit – Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – paguajnë mesatarisht 620 euro në muaj, rreth 34% më shumë se Shqipëria.
Ndërsa vendet e rajonit kanë vijuar të rrisin ndjeshëm pagën minimale edhe pas vitit 2023, Shqipëria nuk ka bërë ndryshime që prej mesit të vitit të kaluar. Paga minimale prej 40 mijë lekësh mbetet e pandryshuar, dhe sipas ekspertëve, rritja e saj në euro është më shumë rezultat i zhvlerësimit të monedhës europiane ndaj lekut, sesa përmirësim real i fuqisë blerëse.
Në Bashkimin Europian, paga më e lartë minimale është në Luksemburg, me 2700 euro në muaj. Gjermania, një nga destinacionet më të preferuara për emigrantët shqiptarë, ka një nivel minimal prej 2161 euro. Nga ana tjetër, Bullgaria renditet e fundit në BE me 551 euro, ndërsa Turqia raporton 558 euro.
Shqipëria vijon të mbetet prapa rajonit për sa i përket të ardhurave minimale, duke e thelluar diferencën me fqinjët që kanë rritur me ritme të shpejta pagat e punonjësve të tyre.