Lajme

Shqipëria, kampione e emigracionit drejt BE-së: 26% e popullsisë jashtë vendit

Në fillim të vitit 2023, në Bashkimin Europian jetonin rreth 27.4 milionë persona që nuk kishin shtetësi të BE-së, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat. Kjo përbën 6.1% të popullsisë së përgjithshme të unionit. Mes tyre, shqiptarët renditen në vendin e nëntë, duke përfaqësuar 2.3% të totalit të të huajve në BE, pas shtetasve nga India (3.2%) dhe Mbretëria e Bashkuar (2.6%).

Por nëse krahasohet numri i emigrantëve me popullsinë e vendit të origjinës, Shqipëria mban rekordin: 26% e popullsisë shqiptare jeton në BE, pa përfshirë Greqinë, duke e vendosur vendin në krye të listës në nivel europian. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në vendet e BE-së jetojnë rreth 630 mijë shqiptarë, ndërsa nëse llogariten edhe rreth 400 mijë të tjerë në Greqi, përqindja e diasporës shqiptare i kalon 40% të popullsisë totale të vendit.

Ukraina dhe Turqia kanë më shumë shtetas që jetojnë në BE në shifra absolute – përkatësisht 3.2 milionë ukrainas dhe 2.1 milionë turq – por për shkak të popullsive të mëdha, përqindja e emigrantëve të tyre në raport me popullsinë e vendit është më e ulët: 2.4% për Turqinë dhe 8.4% për Ukrainën.

Kosova renditet e dyta pas Shqipërisë për përqindje të popullsisë që jeton në BE, me 25.7%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (19.6%) dhe Bosnja e Hercegovina (17.3%), duke dëshmuar se Ballkani Perëndimor vijon të jetë rajoni më i prekur nga emigracioni drejt vendeve të BE-së.

Lejet e qëndrimit, në rritje të vazhdueshme
Vetëm në vitin 2023, vendet anëtare të BE-së kanë dhënë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetas shqiptarë, ndërsa në periudhën 2022–2023, kjo shifër kap 154 mijë leje për herë të parë. Nga viti 2008 e deri më sot, rreth 920 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE, sipas Eurostat.

Kjo valë e gjatë emigrimi ka ndikuar ndjeshëm në strukturën demografike të Shqipërisë. Sipas Censit të vitit 2023, popullsia e vendit është zvogëluar me 420 mijë persona krahasuar me vitin 2011, dhe aktualisht në Shqipëri jetojnë vetëm 2.4 milionë banorë.

Ky trend migrator tregon qartë sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat përballet Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, dhe ngrit nevojën për politika afatgjata që frenojnë zbrazjen e vendit nga forca e re punëtore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button