Shqipëria drejt krizës demografike: OKB parashikon përgjysmim të lindjeve deri në vitin 2054

Shqipëria po përjeton një prej krizave më të mëdha demografike në rang global, me norma të larta emigrimi, rënie të lindjeve dhe plakje të popullsisë. Kombet e Bashkuara, në projeksionet e fundit për periudhën 2024-2054, parashikojnë një përgjysmim të lindjeve në vendin tonë, duke e renditur Shqipërinë ndër tre vendet me rënien më të theksuar, së bashku me Porto Rikon dhe Xhamajkën.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 në Shqipëri lindën rreth 22 mijë foshnja, ndërsa në vitet 2050 ky numër pritet të bjerë në vetëm 10 deri në 11 mijë lindje në vit. Kjo tendencë e fortë rënëse ka kapërcyer edhe skenarët më pesimistë të projeksioneve. Në vitin 2014, vendi regjistroi 35,700 lindje, ndërsa në 2024 shifra zbriti me 37%, duke shënuar pak mbi 22 mijë lindje.
OKB identifikon dy faktorë kryesorë për këtë rënie drastike: normat e ulëta të fertilitetit tek gratë në moshë riprodhimi dhe emigrimi i lartë i të rinjve.
Në nivel kombëtar, norma totale e fertilitetit ka pësuar një rënie të vazhdueshme nga viti 1970, kur ishte 4.8 lindje për grua, në vetëm 2.2 lindje për grua në vitin 2024. Sipas INSTAT, ky tregues zbriti në 1.21 në vitin 2022, nga 1.34 në vitin 2020 dhe 1.36 në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2001 ishte ende në nivelin 2.1, duke treguar një rënie të ndjeshme përgjatë dy dekadave.
Situata është edhe më kritike në disa qarqe si Vlora dhe Korça, ku norma e fertilitetit ka rënë nën një fëmijë për grua. Ndërkohë, qarqet me normat më të larta mbeten Kukësi, Dibra dhe Lezha.
Në krahasim me vendet e tjera evropiane, të dhënat e Eurostat për vitin 2021 e rendisin Shqipërinë ndër tre vendet me lindshmërinë më të ulët, pas Maltës (1.13) dhe Spanjës (1.19).
Ekspertët theksojnë se indeksi i fertilitetit është shumë poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk po arrin të zëvendësojë as veten. Faktorë si shtyrja e martesës, përparësitë ndaj karrierës dhe vështirësitë ekonomike po ndikojnë ndjeshëm në vendimin e grave shqiptare për të lindur më pak fëmijë.
Nëse kjo tendencë vazhdon, Shqipëria do të përballet me sfida serioze sociale dhe ekonomike në dekadat në vijim, për shkak të tkurrjes së popullsisë dhe plakjes së shpejtë të saj.