Shqipe Selimi: Kërcënimi me bombë në Kuvend s’duhet parë si rast i izoluar, Serbia po synon destabilizimin e Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka reaguar pas kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ky incident nuk duhet të shihet si një rast i izoluar.
Ajo ka aluduar se pas këtij veprimi qëndrojnë “mbetjet e strukturave ilegale” që, sipas saj, nuk e duan stabilitetin institucional të Kosovës, si dhe një strategji më e gjerë destabilizuese e Serbisë.
“Kërcënimi i fundit me bombë në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk duhet të shihet si një rast i izoluar. Ky kërcënim vjen në një kohë të acaruar e të tensionuar gjithandej. Institucionet tona janë në shënjestër jo vetëm nga individë apo mbetje të strukturave ilegale brenda vendit që nuk e duan stabilitetin institucional, por edhe nga një strategji më e gjerë e Serbisë për të mbajtur Kosovën në krizë të vazhdueshme,” ka shkruar Selimi.
Ajo shtoi se Serbia vazhdon të ushtrojë presion të shumëanshëm mbi Kosovën, përfshirë përpjekjet për destabilizim përmes propagandës dhe kërcënimeve hibride.
Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se kërcënimi për një mjet shpërthyes në objektin e Kuvendit është bërë përmes një mesazhi të dërguar. Si masë sigurie, të gjithë të pranishmit në Kuvend, përfshirë deputetët dhe stafin, u evakuuan menjëherë.
Seanca konstituive, e cila ishte paraparë të mbahej më herët gjatë ditës, është shtyrë për në orën 20:00.