Shpërthimi në Elbasan, skenar për azil në BE – Arrestohen xhaxhai dhe nipi

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur lagjen “Partizani” në qendër të Elbasanit, rreth orës 00:05 të datës 1 maj 2025. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona brenda banesës dhe raportohen vetëm dëme materiale.
Policia dhe grupi hetimor kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke kërkuar pamjet filmike nga zonat përreth, por pa mundur të identifikojnë autorin. Hetimet u fokusuan tek personat e lidhur me pronarin e banesës, 43-vjeçarin Arbër Pepa, dhe shumë shpejt u zbardh e vërteta pas ngjarjes: shpërthimi ishte inskenuar.
Sipas të dhënave zyrtare, shpërthimi ishte një skemë e menduar nga vetë Pepa, në bashkëpunim me nipin e tij 18-vjeçar, E.T., me qëllim përfitimin e azilit politik në një nga vendet e Bashkimit Europian. Skenari parashikonte që Pepa të largohej nga vendi në momentin e shpërthimit, ndërsa nipi të vendoste lëndën plasëse para banesës. Dhe pikërisht kështu ndodhi.
Pepa kaloi kufirin në drejtim të Greqisë para mesnatës së 30 prillit, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën, ndërsa nipi aktivizoi lëndën shpërthyese. Pas identifikimit dhe ndjekjes së autorëve, policia vuri në pranga të dy të dyshuarit në kuadër të operacionit të koduar “Inskenimi”.
Gjatë shoqërimit, i riu ka pranuar bashkëpunimin me xhaxhain dhe ka zbuluar të gjithë skemën para hetuesve, duke treguar edhe detaje nga planifikimi dhe momenti i shpërthimit.
Materialet hetimore i janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet theksojnë se hetimet për rastin vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe verifikimin e përfshirjes së mundshme të personave të tjerë.