Lajme

Shpërndarja e materialeve zgjedhore në Qarkun e Jugut, gati për ditën e votimit

Në prag të ditës së votimit, të gjitha strukturat zgjedhore në qarqet e jugut të Shqipërisë janë vënë në lëvizje për të përmbyllur shpërndarjen e materialeve zgjedhore në kohë dhe me një organizim të plotë.

Në qytetin e Vlorës, çdo KZAZ, si në qytet ashtu edhe në rreth, ka përfunduar përgatitjet dhe është gati për nisjen e procesit të votimit dhe numërimit të votave. Shpërndarja e kutive dhe materialeve zgjedhore drejt qendrave të votimit pritet të nisë sot në orën 15:00, për shkak të mungesës së përkohshme të efektivëve të policisë që janë në trajnim.

Në Sarandë, KZAZ nr. 91 ka nisur shpërndarjen e materialeve që nga mëngjesi, ndërsa në Pogradec, KZAZ nr. 70 është duke shpërndarë kutitë dhe fletët e votimit për 106 qendrat e votimit, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale të Mokrës dhe fshatrat përreth. Procesi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e komisioneve të përfaqësuara nga partitë politike dhe deri tani nuk janë raportuar probleme.

Në Fier, shpërndarja e materialeve ka nisur në mesditë në tre KZAZ-të përkatëse – nr. 58, 59 dhe 60 – që mbulojnë qytetin dhe njësitë administrative të bashkisë. Janë gjithsej 97 qendra votimi që do të pajisen me materialet për 157,761 zgjedhës të regjistruar. Po ashtu, në bashkitë Patos, Roskovec dhe Mallakastër, shpërndarja e materialeve është realizuar në mënyrë të koordinuar, duke siguruar që çdo qendër votimi të jetë funksionale dhe e gatshme për ditën e nesërme.

Sipas ligjit zgjedhor, procesi i shpërndarjes kryhet nga kryetarët dhe sekretarët e qendrave të votimit, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit, që do të sigurojnë ruajtjen e materialeve deri në hapjen zyrtare të qendrave. Autoritetet zgjedhore kanë theksuar rëndësinë e shpërndarjes në kohë për të garantuar një proces të qetë, të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button