Shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm: 6 zyrtarë të policisë dhe IKMT-së pezullohen nga detyra në Mallakastër

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zbatuar sot urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj gjashtë zyrtarëve, tre punonjësve të policisë dhe tre të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) të Bashkisë Mallakastër. Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Të gjashtë zyrtarët janë nën hetim për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”. Në përputhje me vendimin e gjykatës, atyre u janë caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Të pezulluarit janë:
Inspektor Y. K., Ndihmës Specialist / SPZ, Komisariati i Policisë Fier
Inspektor I. B., Ndihmës Specialist / SPZ, Komisariati i Policisë Fier
Inspektor D. K., Ndihmës Specialist / SPZ, Komisariati i Policisë Fier
Kryeinspektor A. X., IKMT, Bashkia Mallakastër
Inspektor SH. XH., IKMT, Bashkia Mallakastër
Inspektor K. Y., IKMT, Bashkia Mallakastër
Hetimet e thelluara të AMP-së, që përfshinë dhe përdorimin e metodave speciale, kanë nxjerrë në pah dyshimet se punonjësit e Policisë kanë bashkëpunuar me zyrtarët e IKMT-së për të lejuar ndërtimin e paligjshëm në territorin e Bashkisë Mallakastër, duke shkelur ligjin dhe detyrat e tyre. Hetimi është ende në vazhdim për të zbardhur plotësisht ngjarjet dhe përgjegjësitë përkatëse.