Kosova

Shoqëria civile proteston përpara Kuvendit: Thirrje për zhbllokimin e krizës institucionale

Organizatat e shoqërisë civile protestuan sot përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e 38-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo protestë u zhvillua si reagim ndaj bllokadës së zgjatur institucionale dhe pamundësisë për të funksionalizuar Kuvendin, duke paralizuar procesin demokratik dhe mbikëqyrjen institucionale në vend.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes hulumtuesit të lartë Naim Jakaj, kërkoi që liderët politikë të marrin përgjegjësitë kushtetuese dhe politike për t’i dhënë fund krizës. Ai theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka rikujtuar nevojën për një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit dhe zbatimin e obligimeve që i takojnë partisë së parë.

“Gjykata Kushtetuese përsëriti atë që jemi duke e kërkuar prej muajsh: një marrëveshje politike për të konstituar Kuvendin. Partia e parë duhet të bëjë kompromis për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat parlamentare”, tha Jakaj.

Ai shtoi se e drejta për të propozuar kryeparlamentarin është njëkohësisht edhe një detyrim për të bashkëpunuar në mirëbesim me grupet e tjera parlamentare, për të arritur konsensusin e nevojshëm. Jakaj vuri në dukje se bllokimi i Kuvendit ka tejkaluar çdo afat ligjor, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur duhej të ishte mbajtur seanca konstituive.

Situata aktuale ka pasoja të rënda për funksionimin institucional dhe ekonomik të vendit. Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional ka pamundësuar rishikimin e buxhetit të shtetit dhe ka ndalur mbikëqyrjen institucionale. Për më tepër, Kosova po humbet edhe mundësi të rëndësishme financiare nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjet përkatëse.

“Parlamentet e vendeve të rajonit tashmë kanë përfituar fonde, ndërsa Kosova nuk është në gjendje të bëjë të njëjtën gjë”, paralajmëroi Jakaj.

Në përfundim të fjalës së tij, ai kërkoi ndërgjegjësim politik urgjent: “Koha për përgjegjësi është tani. Konsensusi është domosdoshmëri. Nuk ka më vend për kushte dhe vonesa.”

IKD dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile i bënë thirrje partive politike që të lënë mënjanë interesat afatshkurtra dhe të marrin masa të menjëhershme për të zhbllokuar Kuvendin, duke i hapur rrugë kthimit të vendit në funksionim normal institucional dhe demokratik.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button