Shoqëria civile kundër bllokadës në Kuvend: “Demokracia po cenohet, Kuvendi nuk është pronë partie”

Mbi 50 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ashpër ndaj situatës së bllokuar në Kuvendin e Kosovës, duke e konsideruar si një cenim të rëndë të rendit demokratik dhe të Kushtetutës së vendit. Në një reagim të përbashkët, ato kërkojnë që procesi i konstituimit të përfundojë sa më parë dhe që Kuvendi të mos “mbahet peng” nga një subjekt i vetëm politik.
Organizatat shprehen se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm dhe thelbësor për të kthyer procesin në shina kushtetuese. “Gjykata ka theksuar qartë se partia fituese ka të drejtë të propozojë Kryetarin e Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e kushtëzuar me ndërtimin e një shumice përmes bashkëpunimit”, thuhet në reagim.
Shoqëria civile akuzon kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për devijime të rënda nga procedurat ligjore dhe parlamentare. “Ai ka propozuar një votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërje të njëanshme të komisionit për votim, duke cenuar parimin e përfaqësimit të drejtë parlamentar”, theksohet në deklaratë.
Organizatat vlerësojnë se veprimet e Deharit përbëjnë “ndërhyrje të papranueshme” dhe e akuzojnë atë se ka braktisur rolin e tij si lehtësues i procesit demokratik. “Ai është shndërruar në instrument të bllokadës dhe ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës.”
Sipas tyre, në vazhdimin e seancës më 28 qershor është “shkelur qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për demokracinë në vend.
“Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë është kundërkushtetuese dhe cenon integritetin e procesit parlamentar. Krahasimi me zgjedhjen e nënkryetarëve është i pabazë – sepse kjo procedurë ka natyrë përfaqësuese etnike dhe politike, ndërsa zgjedhja e Kryetarit kërkon konsensus të gjerë politik”, thuhet më tej.
OJQ-të nënvizojnë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të çuar përpara një zgjidhje të njëanshme, përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, janë pengesë e qëllimshme për zhbllokimin e institucioneve. “Ka pasur tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që qytetarët janë lënë pa përfaqësim të duhur për shkak të obstruksioneve politike.”
Në fund, organizatat e shoqërisë civile bëjnë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim ndërpartiak. “Kuvendi nuk është pronë e askujt. Demokracia kërkon funksionim, respekt të rregullave dhe vullnet për kompromis. U bëjmë thirrje të gjitha partive, e veçanërisht partisë fituese, të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit parlamentar.”
Kuvendi i Kosovës, sipas tyre, duhet të rikthehet në funksion sa më shpejt – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar.