Shoqëria civile dhe studiues të njohur reagojnë ashpër ndaj vendimit të Speciales për pranimin e dokumenteve nga Serbia

Një grup i gjerë studiuesish dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për pranimin e dokumenteve të lëshuara nga institucionet shtetërore të Serbisë si prova në çështjen kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Në një komunikatë të përbashkët, thuhet se këto dokumente, të pranuara sipas vendimit F03214/RED të datës 29 maj 2025, nuk janë mbështetur nga dëshmi të dëshmitarëve apo prova të tjera dokumentare, duke ngritur shqetësime të mëdha mbi standardin e kujdesit të aplikuar nga trupi gjykues.
“Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga institucione që janë implikuar në spastrim etnik, krime lufte, fushata dezinformimi dhe mohimin e të drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, rrezikon seriozisht besimin publik në integritetin e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara,” thuhet në komunikatë.
Studiuesit dhe aktivistët theksojnë se një standard më i lartë vlerësimi duhet të aplikohet kur shqyrtohen dokumente që burojnë nga autoritetet shtetërore serbe, veçanërisht duke pasur parasysh përfshirjen e dokumentuar të tyre në krime gjatë luftës në Kosovë, sipas Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Sipas komunikatës, ky zhvillim ka përshpejtuar krizën e besimit në këtë institucion gjyqësor, duke e thelluar skepticizmin e qytetarëve të Kosovës që supozohet se duhet të ndihen të përfaqësuar dhe të mbrojtur nga ky proces.
“Drejtësia dhe shtetësia nuk janë qëllime në kundërshti me njëra-tjetrën – ato duhet të jenë plotësuese dhe përforcuese. Prandaj, legjitimiteti i këtij procesi nuk duhet të bazohet vetëm në përmbushjen formale të procedurave, por edhe në perceptimin e drejtësisë dhe paanshmërisë nga qytetarët e Kosovës,” thuhet më tej.
Grupi u ka bërë thirrje partive parlamentare që të marrin përgjegjësi institucionale dhe politike për këtë çështje, duke kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës dhe themelimin e një grupi punues për të shqyrtuar dhe amenduar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas tyre, ky proces duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me Bashkimin Evropian.
Përgjegjësi i veçantë u kërkua edhe nga Presidentja e Republikës dhe Qeveria në detyrë, për të ruajtur integritetin e drejtësisë në këtë moment kritik për shtetin dhe demokracinë e Kosovës.
Shoqëria civile rithekson përkushtimin e saj ndaj drejtësisë tranzicionale, por thekson se përfshirja e provave të kompromentuara vetëm sa e minon më tej besimin publik dhe rrezikon themelet e sundimit të ligjit në vend.