Shoqata e Prodhuesve kërkon pezullimin urgjent të vendimit të ZRRE për tarifat e energjisë, duke paralajmëruar rrezikun për sektorin prodhues

Shoqata e Prodhuesve, pjesë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i është drejtuar me një thirrje urgjente Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të fundit për tarifat e energjisë, i cili sipas tyre rrezikon seriozisht sektorin prodhues në vend.
Sipas Shoqatës, fakti që ende nuk janë dërguar faturat e energjisë pas vendimit, dëshmon mungesë të përgatitjes minimale, transparencës dhe konsultimit me palët e prekura. Ky vendim, që vjen në një periudhë kur bizneset vendore përballen me rritje të importeve, rënie të eksportit dhe vështirësi në ruajtjen e tregjeve të Bashkimit Evropian, po i bën kostot e energjisë të papërballueshme për prodhuesit vendorë.
“Rritja e menjëhershme e kostove pa paralajmërim apo dialog me sektorin privat rrezikon konkurrueshmërinë dhe mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore,” thekson Shoqata e Prodhuesve.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga ZRRE që të fillojë një proces të hapur dhe të planifikuar mirë, duke trajtuar sektorin prodhues si partner strategjik, e jo si viktimë të politikave të nxituara.
“Ne do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës,” përfundon njoftimi.