Lajme

Shkencëtarja shqiptare Kozeta Miliku shpallet ndër 5 gratë më premtuese në shkencë në Kanada

Kozeta Miliku, shkencëtarja me origjinë nga Korça, është vlerësuar nga prestigjiozja kanadeze The Globe and Mail si një nga pesë shkencëtaret më premtuese në Kanada. Ky vlerësim i rëndësishëm vjen si rezultat i kontributit të saj në fushën e mjekësisë dhe kërkimeve shkencore mbi origjinën e sëmundjeve, veçanërisht obezitetin dhe astmën tek fëmijët.

Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, Miliku shpjegoi se një pjesë e rëndësishme e këtij vlerësimi lidhet me dy publikime të saj shkencore, ku veçon studimin për ndikimin negativ të ushqimeve ultraprocesuara – të cilat janë lehtësisht të aksesueshme në supermarkete – në shëndetin e fëmijëve deri në moshën 3 vjeç.

“Është një arritje e madhe, vlerësim që merr nga puna që ke kryer, ndihem krenare. Fusha që unë studioj është origjina e sëmundjeve, kryesisht obeziteti dhe astma,” tha ajo.

Rruga drejt suksesit për Milikun nisi në Shqipëri, ku kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë mes Korçës dhe Tiranës. Rezultatet e saj të shkëlqyera i siguruan një bursë nga Komiteti Europian për të vijuar specializimin në Holandë. Në vitin e fundit të studimeve, iu ofrua një vend pune në Kanada, ku aktualisht është pjesë e qendrës kërkimore shëndetësore në nivel kombëtar.

Megjithëse e realizuar profesionalisht në Kanada, Miliku nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi në Shqipëri: “E kam menduar rikthimin, më ka shkuar në mendje, jo për aspektin e vlerësimit por në Shqipëri i kemi të gjithë,” u shpreh ajo.

Kozeta Miliku është nënë e një vajze trevjeçare, dhe ky rol duket se i ka dhënë një shtysë të re në përkushtimin për të ndihmuar fëmijët në rritje të shëndetshme përmes shkencës. Ajo thekson se pavarësisht distancës, Kanadaja i ka ofruar një jetë të plotë në çdo aspekt, por lidhja me vendin e origjinës mbetet gjithmonë e fortë.

Vlerësimi ndërkombëtar i Kozeta Milikut është një tjetër dëshmi e potencialit të madh që shkencëtarët shqiptarë kanë për të ndikuar pozitivisht në shëndetin publik global.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button