Kuriozitete

Shkencëtarët Clarke, Devoret dhe Martinis fitojnë Çmimin Nobel për Fizikë për eksperimentet që zbuluan “fizikën kuantike në veprim”

Tre shkencëtarë me seli në Shtetet e Bashkuara, John Clarke, Michel Devoret dhe John Martinis, janë shpallur fitues të Çmimit Nobel për Fizikë 2025, për eksperimentet e tyre që “zbuluan fizikën kuantike në veprim”, duke hapur rrugën për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjive digjitale.

“Jam i befasuar. Sigurisht, kurrë nuk më ka shkuar ndër mend se kjo punë do të më sillte një Çmim Nobel”, deklaroi Clarke përmes telefonit gjatë konferencës për shtyp të Nobelit të martën. Ai shtoi me humor se “një nga arsyet pse funksionon telefoni celular është pikërisht puna jonë në fushën e fizikës kuantike”.

Sjelljet e mekanikës kuantike janë të njohura në nivelin mikroskopik të atomeve dhe grimcave nënatomike, por shpesh konsiderohen të pazakonta krahasuar me fizikën klasike. Fituesit e Nobelit kryen në mesin e viteve ’80 eksperimente me qarqe elektronike të ndërtuara nga superpërçues, duke dëshmuar se mekanika kuantike mund të ndikojë edhe në objekte të përditshme, nën kushte të caktuara.

“Është e mrekullueshme që edhe pas një shekulli, mekanika kuantike vazhdon të na ofrojë befasi të reja. Ajo është themeli i të gjitha teknologjive digjitale”, tha Olle Eriksson, kryetari i Komitetit të Nobelit për Fizikë.

Sipas Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, që ndan këtë çmim, zbulimet e këtij viti kanë hapur mundësi të reja për zhvillimin e teknologjisë kuantike, përfshirë kriptografinë, kompjuterët dhe sensorët kuantikë.

Clark, i lindur në Britani, është profesor në Universitetin Berkeley të Kalifornisë. Devoret, i lindur në Francë, ligjëron në Universitetin Yale, ndërsa Martinis, shkencëtar amerikan, është profesor në Universitetin e Kalifornisë. Ky i fundit ka udhëhequr Laboratorin e Google për Inteligjencë Artificiale Kuantike deri më 2020, kur ekipi i tij arriti “supermaci kuantike” – një moment historik kur kompjuteri kuantik zgjidhi një problem shumë më shpejt sesa superkompjuteri më i fuqishëm në botë.

Çmimi Nobel për Fizikë përfshin edhe një shumë prej 1.2 milion dollarësh amerikan dhe do t’u dorëzohet fituesve më 10 dhjetor në Stokholm, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

Ky është çmimi i dytë që ndahet gjatë kësaj jave, pas atij për Mjekësi, ndërsa Çmimi Nobel për Kimi do të shpallet të mërkurën dhe ai për Paqe të premten në Oslo.

/REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button