Kosova

Shemsije Lladrovci reagon pas moskandidimit të Ramiz Lladrovcit: “Nuk është i shitshëm, është dëshmi e gjallë e atdhedashurisë”

Pas vendimit të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të mos e rikandiduar Ramiz Lladrovcin për një mandat të ri si kryetar i Komunës së Drenasit, ka reaguar bashkëshortja e tij, Shemsije Lladrovci.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka mbrojtur figurën e bashkëshortit të saj, duke theksuar se ai nuk është “produkt i pazareve politike” dhe as “i shitshëm”. Sipas saj, refuzimi i tij nuk ka të bëjë me ndonjë gabim të tij, por me faktin se është një figurë e pakapshme për interesa politike.

“Sot, ata që i dolën kundër nuk e bëjnë sepse ai ka gabuar, por sepse ai nuk është i kapshëm. Nuk është i shitshëm. Nuk u përkulet atyre që duan t’i lyejnë historinë tonë me bojë të huaj. Ai i mbetet besnik vetëm një flamuri, dhe një ideali, lirisë së pastër për Kosovën dhe kombin shqiptar”, ka shkruar ajo.

Në postimin e saj, Shemsije Lladrovci e ka quajtur bashkëshortin e saj “dëshmi e gjallë se atdhedashuria nuk është fjalë, por gjak, qëndresë dhe burrëri”. Ajo ka përmendur angazhimin e tij në periudha të ndryshme të historisë, duke e cilësuar si njeri të veprave, jo të fjalëve.

“Ramiz Lladrovci ka qenë aty kur është dashur burrëri, jo thjesht zë. Ka qëndruar në vijën e parë, në ditët më të errëta të popullit tonë, dhe ka folur e vepruar me dinjitet dhe trimëri kur të tjerët kanë zgjedhur heshtjen ose servilizmin”, shkroi ajo ndër të tjera.

Në fund të reagimit të saj, ajo shprehet se është “përherë krenare dhe ballëlartë” pranë tij, duke e cilësuar atë si një shembull për brezat që vijnë.

Ramiz Lladrovci ka qenë kryetar i Drenasit që nga viti 2016. Moskandidimi i tij nga PDK për zgjedhjet lokale të vjeshtës ka ngjallur reagime të shumta në opinion.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button