
Shehaj tha se mbështetja për partinë ‘Mundësia’ është në rritje dhe kjo tashmë po reflektohet në të gjitha matjet publike. Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, zhvilloi një takim me qytetarët e Njësisë 1 dhe 2 në Tiranë, deklaroi se “Mundësia” nuk ka si synim të bëhet “kingmaker”, por ;u japë shqiptarëve një qeveri të pakorruptuar.
“Ata janë thellësisht të shqetësuar. Vetë Edi Rama sot deklaroi se nuk i duhen Shqipërisë parti të reja. Sipas tij, mjaftojnë dy parti që ndajnë pushtetin. Tha: “E pamë çfarë bënte partia e tretë, vijnë si të rinj, pastaj korruptohen si ne.” Pse e thonë? Sepse janë të shqetësuar. Nuk i shqetëson ajo që do ndodhë më 12 maj, por fakti që ne kemi një projekt afatgjatë. Ne nuk kemi hyrë në politikë për t’u bërë parti e tretë siç i kanë parë ata për 34 vite. Nuk kemi asnjë interes të bëhemi “kingmaker”. Nuk jemi patericë e askujt. Ky nuk është synimi ynë. Nuk kemi hyrë në politikë për t’u pasuruar. Kemi hyrë sepse duam t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Sepse jemi të bindur se për 34 vite Shqipëria ka pasur qeveri që i kanë penguar shqiptarët”, u shpreh ai.
Shehaj tha se mbështetja për “Mundësinë” është në rritje dhe kjo tashmë po reflektohet në të gjitha matjet publike. “Kemi arsye të jemi optimistë, falë mbështetjes që është në rritje. Ne e kuptuam shumë më herët sesa të tjerët, dhe sot kjo mbështetje po del hapur në të gjitha matjet që bëhen. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi vetëm në fillim. Ndërkohë që të tjerët po shohin çfarë po ndodh, janë habitur dhe po përpiqen të na ndalojnë. Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur dhe të mos dorëzohemi. Po e shihni përditë: pseudo-analistët kanë kaluar nga kritikat te sharjet. Na thonë: “Po të ishit bashkë, do ishte më mirë.” Por le të flasim me fakte: bashkë ata nuk kanë bërë më shumë kundër Edi Ramës sesa unë vetë. Ai është kryeministri më i korruptuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ne jemi këtu për ta zëvendësuar me një kryeministër të pakorruptuar”, tha Shehaj.
Kreu i “Mundësisë” deklaroi me bindje se asnjë votë e partisë së tij nuk do të preket, dhe kjo do të garantohet nga më shumë se 1000 vëzhgues që do të jenë në çdo qendër votimi.
“Kemi 1000 vëzhgues në gjithë Shqipërinë që do kujdesen që votat për partinë “Mundësia” të mos preken nga askush. Po i organizojmë në çdo qendër numërimi. Çdo votë do filmohet dhe numërohet. Do ketë dy kontrolle – në vend dhe në distancë.
Vota për “Mundësinë” nuk shkon dëm. Është vota më e vlefshme që është hedhur që prej vitit 1991”, mbylli fjalën e tij Shehaj.