KryesoreLajmeRajoni

SHBA shtyn për dy muaj sanksionet ndaj Industrisë Serbe të Naftës

Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë për dy muaj futjen në fuqi të sanksioneve amerikane ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS), njoftoi të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sanksionet duhej të hynin në fuqi më 28 prill, por janë shtyrë deri më 27 qershor, tha Vuçiq në Instagram. “Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë. Serbia ka arritur të marrë një shtyrje të re të sanksioneve ndaj NIS-it, kësaj radhe për dy muaj, deri më 27 qershor. Faleminderit partnerëve tanë amerikanë për mirëkuptimin e qëndrimit të Serbisë”, tha Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Prej atëherë, Uashingtoni e ka shtyrë tri herë futjen në fuqi të sanksioneve të tij ndaj NIS-it.

NIS-i njoftoi gjatë kësaj jave se kishte bërë kërkesë në Departamentin amerikan të Thesarit për lëshimin e një licencë të veçantë për pezullimin e zbatimit të sanksioneve kundër saj.

Edhe Qeveria e Serbisë kishte bërë kërkesë te autoriteteve amerikane për shtyrjen e sanksioneve.

Kompanitë ruse, Gazprom Neft dhe Gazprom, zotërojnë shumicën e aksioneve në NIS (56.15 për qind), ndërsa Serbia ka në pronësi gati një të tretën e aksioneve.

Në vitin 2008, Serbia i shiti 51 për qind të aksioneve të kompanisë NIS te kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, për një çmim prej 400 milionë eurosh, pa tender.

Në maj të vitit 2022, për shkak të sanksioneve të reja të shpallura nga Bashkimi Evropian, Gazprom Neft shiti gjashtë për qind të aksioneve të tij te Gazpromi, kompania amë që ende nuk është nën sanksionet e bllokut evropian.

NIS-i është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror.

Ajo zotëron më shumë se 400 stacione karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit – Bosnjë e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

Përpunimi i naftës bruto kryhet në Rafinerinë e Naftës në Pançevë, e cila operon brenda sistemit të NIS-it./REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button