SHBA revokon vizën e presidentit kolumbian Gustavo Petro pas thirrjes drejtuar ushtarëve amerikanë që të mos i binden Trumpit

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të revokojnë vizën e presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, pas pjesëmarrjes së tij në një demonstratë pro-palestineze në Nju Jork, ku ai u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos i bindeshin urdhrave të presidentit Donald Trump.
“Ne do ta revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”, tha Departamenti i Shtetit në një postim në X.
Duke folur para një turme protestuesish jashtë selisë së OKB-së në Manhattan, Petro bëri thirrje për krijimin e një force të armatosur globale që sipas tij duhet të ketë përparësi çlirimin e palestinezëve. “Kjo forcë duhet të jetë më e madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”, tha ai, duke shtuar: “Nga këtu, nga Nju Jorku, u kërkoj të gjithë ushtarëve amerikanë të mos i drejtojnë armët ndaj njerëzve. Mos u bindni urdhrave të Trump, por urdhrave të njerëzimit”.
Reuters raportoi se nuk ishte e qartë nëse Petro gjendej ende në Nju Jork, ndërsa zyra e tij dhe ministria e jashtme kolumbiane nuk kanë dhënë koment.
Petro, presidenti i parë i majtë në historinë e Kolumbisë, është një kritik i ashpër i luftës së Izraelit në Gaza. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë, ai e quajti Trumpin “bashkëpunëtor në gjenocid” dhe kërkoi ndjekjen e tij penale për sulmet me raketa ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.
Kriza mes Uashingtonit dhe Bogotás është thelluar pas rikthimit të Trump në pushtet në janar, kur Petro refuzoi të pranonte fluturime amerikane që transportonin migrantë të dëbuar. Marrëdhëniet u tensionuan më tej pasi SHBA anuloi vizat për qytetarët kolumbianë, përpara se palët të arrinin një kompromis.
Së fundmi, Trump e ka futur Kolumbinë në listën e vendeve që sipas Uashingtonit nuk zbatojnë marrëveshjet kundër narkotikëve, duke rritur edhe më tej përplasjet diplomatike.



