Kosova
Kryesore

SHBA pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar sot se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën. Vendimi, i bërë i ditur nga ambasada amerikane në Prishtinë, lidhet me shqetësimet e Uashingtonit për veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, të cilat sipas saj “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit zhvillon me vende të ndryshme të botës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale në fusha si mbrojtja, siguria, energjia, mjedisi dhe bashkëpunimi ekonomik. SHBA ka zhvilluar dialogje të tilla me shtete si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në rajon vetëm Shkupi ka nisur këtë proces në qershor të vitit 2022.

Nisma për dialog strategjik me Kosovën dhe Serbinë ishte përmendur edhe në një projektligj të Senatit amerikan në vitin 2024, i propozuar nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen dhe senatori republikan Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Me pezullimin e këtij procesi, SHBA dërgon një sinjal të qartë për pakënaqësinë e saj me drejtimin politik të Qeverisë Kurti, duke e kushtëzuar thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën me stabilitetin politik dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button