SHBA pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën: Daniel Fried paralajmëron për “shenja autoritarizmi” të Albin Kurtit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke dërguar një sinjal të fortë ndaj qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ish-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried, në një intervistë për Albanian Post, e cilësoi këtë si një “vendim serioz, por jo të parevokueshëm”.
Sipas tij, ky hap pason frustrimin e Uashingtonit ndaj qëndrimeve të qeverisë Kurti, ndërsa brenda administratës amerikane po shfaqen shqetësime për “shenja të vazhdueshme të autoritarizmit” dhe për qasjen e ashpër të kryeministrit ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Një pjesë e administratës amerikane po paralajmëron kundër shenjave të autoritarizmit nga Kurti dhe ndaj qëndrimeve të tij të ashpra kundrejt serbëve të Kosovës,” – tha diplomati amerikan.
Fried, që ka shërbyer në Departamentin e Shtetit nën administratat e George W. Bush dhe Barack Obama, shtoi se vendimi i SHBA-ve nuk është përfundimtar, por është një paralajmërim i qartë për Prishtinën.
Sa i përket mundësive për masa të tjera ndaj qeverisë kosovare, ai theksoi se administrata e Donald Trump mund të përdorë tarifa ose mjete të tjera presioni politike, ndonëse efektshmëria e tyre në këtë rast mbetet e pasigurt.
Duke folur për raportet Kosovë–Serbi, Fried u ndal edhe te ngjarja e Banjskës, ku një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës në vitin 2023. Ai nënvizoi se Kosova duhet t’i ekspozojë përpjekjet malinje të Serbisë dhe të forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Serbia është e aftë të organizojë sulme të tilla. Kosova duhet t’i ekspozojë ato. Marrëdhëniet më të forta me BE-në do ta ndihmonin Kosovën të mbrohet nga një agresion i tillë,” – tha ai.
Në lidhje me raportet SHBA–Serbi, Fried vuri në dukje se sinjalet janë të përziera, por se Uashingtoni po tregon gatishmëri për presion ndaj Beogradit. Ai paralajmëroi gjithashtu se strategjia e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të balancuar midis Perëndimit dhe Rusisë “mund të mos funksionojë më si dikur”.
“Përfundimi i licencës që lejonte kompaninë energjetike NIS të bashkëpunonte me kompani ruse të sanksionuara tregon se administrata është e gatshme të ushtrojë presion ndaj Beogradit,” – tha ai.
Sa i përket mungesës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Fried theksoi se kjo nuk tregon domosdoshmërisht probleme në marrëdhëniet dypalëshe, por është rezultat i vonesave në emërimet e administratës.
Në fund, ai theksoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi mbetet i vështirë, por mund të jetë një sfidë që “i pëlqen presidentit Trump”, duke lënë të hapur mundësinë e një angazhimi më të fortë amerikan në këtë drejtim.



