Kosova
Kryesore

SHBA-ja paralajmëron: Marrëdhëniet me Kosovën varen nga respektimi i prioriteteve amerikane

Anu Prattipati, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, ka theksuar në një intervistë për Gazetën Express se Uashingtoni e sheh sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike si prioritetet kryesore në raport me Kosovën.

E pyetur për qasjen që pritet të ketë administrata e re amerikane e udhëhequr nga Donald Trump në muajt në vijim, diplomatja amerikane theksoi se mundësitë për bashkëpunim me Kosovën janë “pothuajse të palimituara”, nëse qeveria në Prishtinë respekton dhe mbështet këto prioritete.

“Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e SHBA-së prioritizon sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara”, tha Prattipati.

Ajo vuri në pah se ekziston potencial i madh në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht në fushën ekonomike. “Ka mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike”, shtoi ajo.

Megjithatë, diplomatja amerikane paralajmëroi se në rast se SHBA-të vlerësojnë se Kosova po ndërmerr veprime që bien ndesh me këto parime, bashkëpunimi mund të kufizohet.

“Po që se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për të ndjekur një bashkëpunim të tillë”, përfundoi Prattipati.

Ky mesazh vjen në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, ku partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button