SHBA dyfishon shpërblimin për arrestimin e Nicolas Maduro

Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar shpërblimin për informacione që mund të çojnë në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e cilësuar atë si “një nga trafikuesit më të mëdhenj të narkotikëve në botë”. Shpërblimi tani është 50 milionë dollarë.
Presidenti amerikan Donald Trump, kritikues i hershëm i Maduros, e ka akuzuar prej kohësh atë për lidhje me trafikun e drogës dhe korrupsion. Maduro u rikthye në pushtet në janar të këtij viti pas zgjedhjeve të kontestuara, të cilat u hodhën poshtë nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Kryeprokurorja e SHBA-së, Pam Bondi, bëri të ditur se shpërblimi prej 25 milionë dollarësh është dyfishuar, ndërsa shtoi se Maduro është i përfshirë drejtpërdrejt në operacionet e trafikimit të drogës. Ajo gjithashtu akuzoi presidentin venezuelas për bashkëpunim me grupet kriminale si “Tren de Aragua” dhe “Karteli Sinaloa”.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, e cilësoi lajmin si “patetik” dhe “propagandë politike”, duke theksuar se kjo përpjekje është një “shpërqendrim dëshpërues” nga skandalet e tjera, përfshirë edhe rastin e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein.
Në të kaluarën, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka akuzuar Maduros dhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelas për narko-terrorizëm, korrupsion dhe trafik droge. Sipas SHBA-së, Maduro ka punuar me grupin rebel kolumbian Farc për të përdorur kokainën si armë kundër Shteteve të Bashkuara.
Kryeprokurorja Bondi deklaroi se DEA-ja ka konfiskuar mbi 30 tonë kokainë të lidhur me Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë rreth 7 tonë që lidhen drejtpërdrejt me presidentin venezuelas.
Maduro ka mohuar në mënyrë kategorike çdo përfshirje në trafik droge.