Gjermani: Arrestohet 17-vjeçari nga Kosova që goditi me thikë mësuesin në Essen

Policia gjermane ka arrestuar një 17-vjeçar nga Kosova, i cili dyshohet se mëngjesin e sotëm ka sulmuar me thikë një mësues në një kolegj në qytetin Essen të Gjermanisë.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, pas sulmit i dyshuari ishte lokalizuar në një park rreth tre kilometra larg shkollës. Në momentin kur njësia speciale e policisë (SEK) tentoi ta ndalonte, ai dyshohet se është vërsulur me thikë drejt oficerëve, duke detyruar policinë të përdorë armë zjarri.
“I dyshuari u plagos rëndë gjatë ndërhyrjes dhe u desh të intubohej nga ekipet mjekësore në vendngjarje”, raporton Bild.de. Aktualisht, i riu po trajtohet në spital nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Policia gjermane ka konfirmuar se i dyshuari është arrestuar dhe se nuk paraqet më rrezik për publikun. Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një 18-vjeçar, por autoritetet më pas korrigjuan informacionin, duke konfirmuar se ai është 17 vjeç.