Serbia përdor çështjen e Kosovës për të forcuar lidhjet me Kinën, vlerësojnë analistët

Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se Serbia po e përdor çështjen e Kosovës si mjet për të avancuar interesat e saj politike në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për të justifikuar afrimin strategjik me Kinën.
Kjo vlerësim vjen pas vizitës së fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Pekin, ku ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Në deklaratën e tij pas takimit, Vuçiq tha se Kina mund të ofrojë ndihmë edhe në planin politik lidhur me Kosovën, duke shtuar se diskutimet përfshinë bashkëpunim ushtarak, çështje gjeopolitike dhe investime kineze.
“Foluam edhe për bashkëpunimin ushtarak, për çështje gjeopolitike dhe për investimet kineze. Kërkova më shumë vende pune për qytetarët tanë dhe presidenti Xi më tha se ekspertët e tyre tashmë po punojnë për këtë. Mund të presim ndihmë edhe në planin politik për Kosovën”, deklaroi Vuçiq, raporton Danas.
Sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, deklaratat e Vuçiq janë pjesë e një strategjie të mirëmenduar për ta përdorur Kosovën si temë mobilizuese në politikën e jashtme të Serbisë.
“Potencimi i rolit të Kinës në çështjen e Kosovës është simbolik dhe shërben për të legjitimuar afrimin e Serbisë me Pekinin,” thekson Dragoslav Rasheta, hulumtues i iniciativës “Rruga e Re e Tretë”. Ai shton se e vetmja ndihmë reale që Kina mund t’i ofrojë Serbisë është e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por kjo nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në dialogun aktual Kosovë–Serbi.
Milan Igrutinoviq, bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Studime Evropiane, i cilëson deklaratat për ndihmë nga Kina si “rituale diplomatike” që forcojnë marrëdhëniet politike mes dy vendeve, por nuk sjellin ndryshime konkrete në terren, sidomos në procesin e dialogut me Kosovën. Ai thekson se kjo është një taktikë e njohur e Beogradit për të balancuar ndikimin perëndimor me atë lindor, duke përdorur Kosovën si “kartë politike” për të tërhequr mbështetje ndërkombëtare dhe për të legjitimuar aleanca që nuk lidhen drejtpërdrejt me zgjidhjen e çështjes.