Rajoni

Serbia mes krizës së energjisë dhe presionit politik: SHBA vendos sanksione ndaj NIS-it, Rusia zgjat kontratën e gazit vetëm deri në fund të vitit

Vetëm brenda një jave, Serbia u përball me dy goditje të mëdha në sektorin e energjisë. Më 9 tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS) për shkak të pronësisë së saj kryesisht ruse, ndërsa dy ditë më vonë Rusia njoftoi se marrëveshja për furnizimin me gaz do të zgjatet vetëm deri në fund të këtij viti, e jo për tre vjet, siç kishte shpresuar Beogradi.

Këto zhvillime ngjallën shqetësim për sigurinë energjetike të vendit në prag të sezonit të ngrohjes, që fillon më 15 tetor. Serbia varet në masë të madhe nga gazi rus, i cili furnizon shumicën e sistemeve të ngrohjes qendrore dhe një pjesë të industrisë.

Presidenti Aleksandar Vuçiq pranoi se zyrtarët amerikanë i kishin sugjeruar nacionalizimin e NIS-it për të shmangur sanksionet, por ai tha se e kishte refuzuar këtë opsion. Pas takimit me delegacionin rus më 13 tetor, Vuçiq u shpreh “i kënaqur me konstruktivitetin dhe sinqeritetin” e palës ruse, duke siguruar se “nuk do të ketë mungesë të naftës apo krizë energjetike”.

Megjithatë, ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, shfaqi tone më kritike, duke thënë se NIS nuk ka paraqitur ende plan operativ për muajt e ardhshëm. “Nuk kemi dëgjuar planin as për tre, katër apo pesë muajt në vijim. Dhe kjo është shqetësuese,” deklaroi ajo për Radio Televizionin e Serbisë.

Ekonomisti Lubodrag Saviq e cilëson vendimin e Rusisë si një “lëvizje taktike” për të ushtruar presion ndaj Serbisë që të mos ndërhyjë në pronësinë e kompanisë NIS. Ai shton se, pavarësisht tensioneve, nuk pritet mungesë gazi apo rritje çmimesh, pasi “interesat e Rusisë dhe Serbisë mbeten të përbashkëta”.

Nga ana tjetër, SHBA-ja theksoi se sanksionet nuk kanë për qëllim popullin serb, por synojnë të zvogëlojnë ndikimin financiar të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Rusia zotëron shumicën e aksioneve në NIS përmes kompanive Gazpromneft (44.9%) dhe Intelligence nga Shën Petersburgu (11.3%). Pavarësisht ndryshimeve të pjesshme në strukturën e pronësisë, kontrolli rus mbetet dominues.

Në Serbi, industria përbën rreth 64 për qind të konsumit të përgjithshëm të gazit, familjet 16 për qind dhe termocentralet 20 për qind. Sipas autoriteteve, rezervat aktuale mund të mbulojnë rreth 15 ditë ngrohje në rast emergjence.

Ekspertët paralajmërojnë se Serbia gjendet “mes dy zjarresh” – përballë presionit të Shteteve të Bashkuara për të ulur ndikimin rus dhe varësisë së thellë nga furnizimet e Moskës. Për momentin, garancitë për furnizim mbeten politike, por jo të sigurta afatgjatë./REL

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button