Kosova

KPM publikon raportin preliminar për mbulimin mediatik të fushatës zgjedhore lokale 2025: Shkelje të shumta nga disa media

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar raportin preliminar për monitorimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) gjatë fushatës për Zgjedhjet Lokale 2025.

Sipas KPM-së, monitorimi është zhvilluar gjatë gjithë periudhës zgjedhore, nga 13 shtatori deri më 12 tetor 2025, me qëllim të vlerësimit të performancës së mediave në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret e KPM-së që rregullojnë mbulimin e fushatave zgjedhore.

Janë monitoruar mediat me transmetim tokësor kombëtar, rajonal dhe lokal, si dhe ato që operojnë përmes operatorëve të shpërndarjes. Vlerësimi është bërë për programet e transmetuara nga ora 12:00 deri në 24:00, duke analizuar paanshmërinë në raportim, hapësirën e ofruar për subjektet politike, gjuhën e përdorur dhe respektimin e dispozitave ligjore.

KPM njofton se monitorimi është kryer në përputhje me disa akte nënligjore, përfshirë:

Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore;

Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale (KKPM2016/035);

Rregulloren KPM 2023/01 për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve;

Rregulloren KPM 2023/02 për komunikimet komerciale audio dhe audiovizuele.

Në raport theksohet se shumica e mediave të përfshira kanë ofruar hapësirë për aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike, por janë evidentuar edhe shkelje të shumta, përfshirë:

Mosidentifikim të reklamave politike;

Përdorim të gjuhës fyese dhe nxitëse;

Përfshirje të fëmijëve në spote politike;

Mosrespektim të heshtjes zgjedhore;

Sponsorizim të paautorizuar të emisioneve politike;

Publikim të sondazheve pa përmbushur kriteret ligjore;

Nxitje të urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare.

Në konkluzione, KPM thekson se përkundër njoftimeve paraprake dhe përvojës së mediave në proceset zgjedhore, një numër i konsiderueshëm i OSHMA-ve kanë shkelur ligjin dhe rregulloret, duke mos siguruar trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike.

“KPM, përmes Zyrës Ekzekutive, ka përmbushur mandatin për monitorim, vlerësim dhe reagim ndaj shkeljeve gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, një pjesë e mediave kanë dështuar të garantojnë paanshmëri dhe trajtim të barabartë për subjektet garuese”, thuhet në komunikatën e komisionit.

Raporti preliminar do të rishikohet dhe do të pasojë me publikimin e raportit final nga KPM.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button