Rajoni

Serbia: Igor Popoviqi pranoi fajësinë në Kosovë “nën presion”

Ministria e Drejtësisë e Serbisë reagoi të shtunën ndaj dënimit të zyrtarit të Qeverisë serbe, Igor Popoviq, duke pretenduar se ai e kishte nënshkruar marrëveshjen me Prokurorinë e Kosovës për pranimin e fajësisë “nën presion dhe jo me vullnet të lirë”.

Popoviq, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën, u dënua të premten nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë muaj burg për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit – dënim i zëvendësuar me një gjobë prej 3.000 eurosh dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet. Ai kishte pranuar fajësinë për deklarata gjatë një fjalimi më 18 korrik në Hoçë të Madhe, ku e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Vetë Popoviq, gjatë seancës gjyqësore, deklaroi disa herë se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë presion. Megjithatë, Ministria serbe e cilësoi procesin gjyqësor si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj lirive themelore të popullit serb”, duke paralajmëruar përdorimin e “të gjitha mjeteve ligjore e politike” për ta mbrojtur.

Institucioni serb tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë” dhe e quajti atë “të pavlefshme”. Ministria i bëri thirrje misioneve ndërkombëtare dhe BE-së të “reagojnë urgjentisht”.

Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin e Bërnjakut, pas fjalimit në Hoçë të Madhe. Pas ndalimit prej 48 orësh, gjykata caktoi një muaj paraburgim, vendim i cili u la në fuqi edhe nga shkalla e dytë.

Rasti ka shkaktuar tensione politike, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq që paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” ndaj Kosovës – deklaratë që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e interpretoi si kërcënim. Autoritetet në Kosovë kanë theksuar se nuk do të tolerojnë fyerje ndaj historisë dhe luftës së UÇK-së.

Sipas të dhënave, gjatë luftës në Kosovë (1998–1999) u vranë mbi 13.000 civilë dhe rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, ende figurojnë të zhdukur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button