Sekuestrohen mbi 300 kg duhan të kontrabanduar në Anamoravë

Task Forca në kuadër të Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje, e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, ka zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të duhanit të kontrabanduar pas një operacioni disa-javor, të mbështetur në informacione operative dhe inteligjente.
Sipas njoftimit zyrtar, janë identifikuar dy lokacione që shërbenin si pika grumbulluese të mallrave të kontrabanduara. Në lokacionin e parë u gjetën 100 kilogramë duhan i papërpunuar dhe 109 kilogramë duhan i përpunuar, ndërsa në lokacionin e dytë u zbuluan edhe 100 kilogramë duhan i papërpunuar.
“Malli i sekuestruar është dorëzuar tek Dogana e Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore. Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara arrin në rreth 4,500 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore dhe akciza llogariten në afërsisht 15,000 euro,” thuhet në komunikatën e institucioneve përgjegjëse.
Task Forca ka theksuar përkushtimin për të luftuar kontrabandën dhe veprimtaritë ilegale që dëmtojnë ekonominë dhe interesin e qytetarëve, duke riafirmuar vendosmërinë për të vepruar me efektivitet në parandalimin e këtyre dukurive në territorin e Kosovës.



