Seanca vendimtare në Hagë: Pritet vendimi për mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur sot një seancë vendimtare në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ku pritet të shpallet vendimi lidhur me mocionin e paraqitur nga ekipet mbrojtëse për rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.
Të katër të akuzuarit janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit, ndërsa pritet me interesim të madh që gjykata të publikojë qëndrimin e saj mbi kërkesën që mund të ndikojë rrënjësisht në vazhdimin ose ngushtimin e procesit gjyqësor.
Ekipet e mbrojtjes dorëzuan mocionin më 12 qershor, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur afat për përgjigje deri më 7 korrik. Vendimi që do të shpallet sot pritet të ketë peshë të madhe në rrjedhën e mëtejshme të këtij procesi të gjatë dhe të diskutueshëm.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi ndaj tyre është përballur me kritika të shumta, si brenda Kosovës ashtu edhe ndërkombëtarisht, për zvarritje dhe mungesë të qartësisë procedurale.