Seanca për rastin “Banjska” mbyllet për publikun – dëshmitari përmend struktura ilegale dhe sigurinë kombëtare

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, seanca gjyqësore e së enjtes ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, është mbyllur për publikun. Të pandehur në këtë rast janë Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Prokurori special Naim Abazi kërkoi mbylljen e seancës me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq është e ndjeshme dhe përfshin çështje të sigurisë kombëtare, rekrutime dhe organizime ilegale në veri të Kosovës. Ai shtoi se dëshmia përfshin edhe personazhe që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e armatosur në Banjskë, si dhe informacione që mund të çojnë në identifikimin e familjes së dëshmitarit.
Për këtë arsye, seanca u mbyll bazuar në nenin 298 të Kodit të Procedurës Penale. Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se vendimi u mor pas konsultimit me palët.
Dëshmitari Iliq tha se nuk është mirë me shëndet dhe se situata është stresuese për të, ndaj nuk mund të qëndrojë gjatë në sallë.
Ndërkohë, seancat e mëparshme janë karakterizuar nga mungesa të dëshmitarëve apo kërkesa për mbrojtje të identitetit të tyre. Seanca e 18 korrikut dështoi për shkak të mungesës së dëshmitarit anonim A2, ndërsa ajo e 21 korrikut u mbyll për të dëgjuar dëshmitarin anonim F1. Më 22 korrik dëshmuan Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte kërkuar mendim nga Gjykata Supreme lidhur me mundësinë e zhvillimit të procesit gjyqësor në mungesë ndaj 42 të akuzuarve të tjerë. Por Supremja refuzoi të jepte mendim juridik, ndërsa Gjykata Themelore vendosi të mos e aplikojë këtë procedurë. Për 42 të pandehurit, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar.
Të tre të akuzuarit e arrestuar dhe në paraburgim – Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq – ishin deklaruar të pafajshëm në seancat e 9 tetorit 2024 dhe 17 prillit 2025.
Aktakuza e ngritur më 11 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik – kompania “RAD D.O.O” – për sulmin terrorist në Banjskë, që kishte për qëllim shkëputjen e territorit të veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy zyrtarë të tjerë policorë. Tre nga sulmuesit u vranë në përleshje, ndërsa të tjerët u strehuan për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë publikisht Milan Radoiçiq, i cili mbetet i lirë dhe i paarrestuar.