Seanca ndaj dy personave në rastin e Dumnicës shtyhet për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit

Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e rëndë në fshatin Dumnicë e Epërme të Podujevës është anuluar këtë të hënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit.
Lajmin e ka konfirmuar zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Alban Ajvazi, duke theksuar se vendimi është marrë në përputhje me vlerësimin e trupit gjykues dhe rekomandimet e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimin e orarit të punës gjatë valës së të nxehtit.
Në këtë proces gjyqësor, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e rëndë të shtetasit S.S., ngjarje e ndodhur më 26 mars 2023 në Dumnicë të Podujevës. Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, pas një mosmarrëveshjeje, Besnik Salihu i është afruar viktimës dhe e ka qëlluar dy herë në kokë me armë zjarri – një herë me pistoletë dhe një herë me armë të gjatë – duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Përveç veprës penale të “Vrasjes së rëndë” sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ai akuzohet edhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, pasi kishte në pronësi një revole dhe një armë të gjatë pa leje.
Ndërkohë, i akuzuari i dytë, Ilaz Salihu, vëllai i Besnikut, ngarkohet me veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, pasi dyshohet se i kishte premtuar vëllait ndihmë për të fshehur provat pas kryerjes së krimit.
Seanca e radhës është shtyrë për një datë tjetër që do të caktohet në ditët në vijim.