Sarandë: Arrestohet 35-vjeçari që kanoste dhe përndiqte një të mitur për t’i marrë para

Policia e Sarandës ka arrestuar një 35-vjeçar, i dyshuar për përndjekje dhe kërcënim të një shtetaseje të mitur me qëllim përfitimin e një shume të konsiderueshme parash. Arrestimi i tij erdhi pas kallëzimit nga familjarët e të miturës dhe hetimeve të realizuara nga specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Sarandës.
Sipas të dhënave të hetimit, shtetasi E. G., banues në Sarandë, dyshohet se ka përndjekur vajzën për rreth një vit dhe e ka kërcënuar me pasoja të rënda, duke i marrë paratë. Familja e të miturës ka denoncuar rastin, çka ka nxitur nisjen e menjëhershme të hetimeve.
Në përfundim të hetimeve, janë siguruar prova që mbështesin dyshimet për veprimtarinë e paligjshme të 35-vjeçarit. Ai tashmë ndodhet në pranga dhe do të përballet me akuzat për “Përndjekje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.