Samiti Trump–Putin në Alaska mbyllet pa marrëveshje konkrete

Me avionë luftarakë, një qilim të kuq dhe një slogan shpresëdhënës “Në ndjekje të Paqes”, Presidenti amerikan Donald Trump priti të premten në Alaska homologun e tij rus, Vladimir Putin, për një samit që zgjati gati tre orë, por përfundoi pa rezultate konkrete.
Pas takimit, të dy liderët dolën në konferencë për shtyp duke folur për “përparim”, por pa dhënë asnjë detaj mbi atë çfarë u arrit. Trump pranoi se armëpushimi që kishte paralajmëruar nuk ishte bërë realitet dhe theksoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, duke ia lënë barrën Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të gjetur një kompromis me Moskën.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se shumica e pikave janë negociuar, përfshirë diskutimet mbi lëshime territoriale dhe garanci sigurie për Ukrainën, por se vendimi përfundimtar mbetet në duart e Kievit. “Ukraina duhet të bjerë dakord me të. Duhet të bëjmë një marrëveshje”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Putin e shfrytëzoi samitin për të shënuar rikthimin e tij në skenën diplomatike ndërkombëtare pas viteve izolimi. Pritja ceremoniale në Anchorage u cilësua nga media ruse si një “shtrëngim duarsh historik”, ndërsa hyrja e tij në limuzinën e blinduar të Trump u interpretua si një fitore simbolike për Kremlinin.
Samiti ndryshoi edhe në format: ndryshe nga paralajmërimet e mëparshme, takimi nuk ishte kokë më kokë, por me praninë e dy ndihmësve nga secila palë, mes tyre Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff.
Trump la të hapur mundësinë për një takim të ardhshëm mes tij, Putinit dhe ndoshta edhe Zelenskyt, ndërsa Putin sugjeroi që vazhdimi të mbahet në Moskë.
Megjithëse nuk pati ndonjë marrëveshje të madhe, një gjë mbeti e qartë: samiti i Anchorage shënoi një hap simbolik për Putinin drejt rikthimit në diplomacinë globale, ndërsa për Trump mbetet një betejë e hapur për të materializuar premtimin e tij për paqe në Ukrainë.