Melania Trump i dërgon letër Putinit për gjendjen e fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi

Bashkëshortja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Melania Trump, ka ngritur çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë dhe Rusi, përmes një letre personale drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin.
Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmuan për Reuters se letra iu dorëzua Putinit nga vetë Presidenti Trump gjatë samitit të mbajtur në Alaska. Ata refuzuan të japin hollësi të plota mbi përmbajtjen, por thanë se dokumenti përmendte rrëmbimet e fëmijëve ukrainas, një nga çështjet më të ndjeshme të konfliktit.
Melania Trump, e lindur në Slloveni, nuk ishte e pranishme në udhëtimin për në Alaska, ndërsa ekzistenca e letrës nuk ishte bërë publike më parë.
Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia është cilësuar nga Kievi si një krim lufte dhe një akt që bie ndesh me traktatin e OKB-së për gjenocid. Autoritetet ukrainase pretendojnë se dhjetëra mijëra fëmijë janë dërguar në Rusi ose në territore të pushtuara pa pëlqimin e prindërve apo kujdestarëve ligjorë.
Nga ana tjetër, Moska ka pohuar se veprimet e saj kanë pasur për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga zonat e luftës. Ndërkohë, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar Rusinë për shkelje të rënda të të drejtave të fëmijëve dhe shkaktimin e vuajtjeve për miliona prej tyre që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.