Sali Berisha voton së bashku me familjen: “Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Shkollën “Kosova” në Tiranë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, djali Shkëlzen Berisha dhe partnerja e tij, Armina Mevlani.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin masivisht në votime, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e vendit dhe brezave të rinj.
“Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj në këtë vend”, tha ai, duke përsëritur disa herë mesazhin e tij për pjesëmarrje masive.
“Një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar: sot të votojnë, të votojnë për veten, për fëmijët, për pensionet dhe rrogat, për punën, biznesin, fermën e tyre. Të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati u shpreh optimist për atmosferën në terren, duke thënë se kishte takuar qytetarë të gëzuar dhe të vendosur për të dhënë votën e tyre.
“Do të kemi një ditë të dytë vere! Ndaj dhe njëherë thirrja ime: votoni, votoni, votoni!”, përfundoi ai.