Kosova

Rukiqi kërkon reagim urgjent nga Quint-i dhe BE: Rendit kushtetues në rrezik nga veprimet e Vetëvendosjes

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Shtetet e Quint-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për siç e quan ai, “rrezikimin e rendit kushtetues dhe demokracisë në vend”.

Sipas Rukiqit, mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe uzurpimi i kabinetit qeveritar nga Lëvizja Vetëvendosje përbëjnë një kërcënim serioz për funksionimin demokratik të shtetit dhe zhvillimin institucional të Kosovës.

“Shtetet e Quint-it dhe Zyra e BE-së duhet të reagojnë qartë dhe me vendosmëri për rrezikimin e rendit kushtetues, mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe uzurpimin e kabinetit qeveritar nga ish-partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje,” tha Rukiqi.

Ai paralajmëroi se veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes, që sipas tij po tentojnë të uzurpojnë institucionet dhe të sfidojnë ligjshmërinë, rrezikojnë çdo investim të bashkësisë ndërkombëtare në ndërtimin e shtetit, në proceset demokratike dhe integruese të Kosovës.

Rukiqi përfundoi duke bërë thirrje për angazhim më të madh të faktorit ndërkombëtar për të garantuar stabilitet institucional dhe funksionimin kushtetues të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button