RTK përjashton disa gazetarë nga moderimi, shpërthen debati për “cenzurë”

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka reaguar pas akuzave të disa gazetarëve se janë përjashtuar arbitrarisht nga moderimi i emisioneve. Në një deklaratë publike, RTK tha se ndryshimet janë pjesë e një “avancimi programor dhe organizativ” me qëllim rritjen e cilësisë, duke theksuar se vendimet nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor.
“Detyrat e redaktorëve lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim. Lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”, thuhet në reagimin e RTK-së, e cila mohoi pretendimet për censurë.
Ndërkohë, gazetarja Blerta Foniqi-Kabashi, e cila së fundmi pati një debat të ashpër me deputeten e pushtetit Fitore Pacolli gjatë një emisioni në RTK, ka bërë të ditur se ajo dhe kolegët e saj janë njoftuar në mënyrë të paparalajmëruar për përjashtimin nga moderimi.
“Të premten, në fund të orarit të punës, morëm një njoftim joligjor se nga data 1 shtator përjashtohemi nga moderimi i emisioneve. Kjo është alarm për censurë në televizionin publik”, tha Foniqi-Kabashi, duke shtuar se menaxhmenti nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës për takim.
Ajo akuzoi RTK-në për ndërhyrje arbitrare në skemën programore, duke përmendur heqjen e “Magazinës së orës 17:00” dhe më herët të “Lajmeve të fundit”, për të cilat sipas saj janë shfaqur pakënaqësi nga përfaqësues të partisë në pushtet.
Gazetarët Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami kanë paralajmëruar ndjekje të rrugëve ligjore lidhur me këtë vendim.
RTK ndërkohë paralajmëroi se nuk do të tolerojë deklarime të punonjësve në rrjete sociale që, sipas saj, cenojnë integritetin e institucionit, duke shtuar se çdo veprim i tillë do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
Institucioni publik theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, pavarësisë editoriale dhe objektivitetit, duke e zhvilluar ofertën programore mbi parimet e depolitizimit dhe paanshmërisë.