Rrjeti “Safe Journalists” dënon ndalimin e kameramanit të Paparacit nga mbrojtja e presidentes Osmani

Rrjeti rajonal i gazetarëve “Safe Journalists” ka shprehur shqetësim të thellë për ndalimin e kameramanit të Paparacit, Jetmir Muji, nga njësia e mbrojtjes së afërt e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e konsideruar këtë një shkelje të drejtave të lirisë së medias.
Në një reagim zyrtar, rrjeti thekson se veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe njësia e mbrojtjes janë joproporcionale, të papranueshme dhe të paligjshme, duke përfaqësuar një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën gazetareske.
“Masat joproporcionale të ndërmarra nga Policia e Kosovës janë të papranueshme dhe të paligjshme, dhe përfaqësojnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën gazetareske dhe një shkelje të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, thuhet në reagim.
Rrjeti “Safe Journalists” i bën thirrje institucioneve përkatëse që të respektojnë lirinë e medias dhe të sigurojnë që gazetarët të mund të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga presionet apo ndërhyrjet arbitrare.