Rritja e çmimit të rrymës, bizneset po largohen nga Kosova – qytetarët po varfërohen

Njohës të rrethanave ekonomike paralajmërojnë pasoja serioze për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, që po ndikon si tek bizneset, ashtu edhe tek qytetarët.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë dëmtuar rëndë ekonominë, duke rritur kostot e prodhimit dhe shërbimeve. Ai paralajmëron se shumë kompani tashmë po zhvendosin kapitalin jashtë vendit, duke ulur numrin e punëtorëve dhe duke shënuar rënie të eksporteve.
“Energjia elektrike në Kosovë është bërë më e shtrenjta në Ballkanin Perëndimor dhe kjo po e zvogëlon konkurrueshmërinë e bizneseve. Dimri do të na gjejë me çmim mbi 30 për qind më të lartë, duke rënduar shportën e konsumatorëve dhe duke shtuar papunësinë”, tha Shahini.
Edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e sheh situatën si alarmante. Sipas tij, mungesa e reformave në tregun energjetik dhe varësia e madhe nga importi e lënë Kosovën në mëshirë të çmimeve të jashtme.
“Rritja e re e çmimit të energjisë vjen në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, kur pagat në sektorin privat e publik janë të ngrira. Kjo është shumë shqetësuese për qytetarët dhe bizneset”, u shpreh ai.
ZRRE, nga ana tjetër, ka kërkuar respektim të vendimeve ligjore, duke thënë se shtrenjtimet nuk janë dëshirë, por obligim ligjor.