Rritet numri i rasteve me kancer në Kosovë: 1,100 pacientë të rinj gjatë vitit, më të prekurit janë moshat nën 60 vjeç

Në Kosovë gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 1,100 raste të reja me kancer, duke shënuar një rritje shqetësuese, veçanërisht tek grupmoshat nën 50 vjeç.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, bëri të ditur se kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri tek femrat, me rreth 230 raste të reja të regjistruara vetëm këtë vit. Ndërkohë, tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive. Sipas tij, këto dy forma të kancerit, bashkë me tumoret e organeve gjenitale, përbëjnë grupin më të madh të sëmundjeve malinje në vend.
“Grupmoshat ku dominon kanceri janë ato nga 50 deri në 60 vjeç, por këto dy-tri vitet e fundit kemi vërejtur një incidencë më të lartë edhe tek të rinjtë nën moshën 50 vjeç,” u shpreh Kurtishi për Ekonomia Online.
Ai theksoi nevojën për kujdes të shtuar shëndetësor dhe kontrolle të rregullta, sidomos për grupmoshat 30–50 vjeç, për të siguruar zbulim sa më të hershëm të sëmundjes dhe trajtim efektiv.
Për fëmijët me sëmundje malinje, trajtimi bëhet në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa në Klinikën e Onkologjisë trajtohen vetëm pacientët adultë me tumore solide. Të dhënat për rastet me kancer grumbullohen nga Klinika e Onkologjisë dhe më pas regjistrohen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Kurtishi apeloi që qytetarët të mos neglizhojnë simptomat, të shmangin vetëdiagnostikimin dhe të konsultohen me mjekët profesionistë që në shfaqjen e parë të ndonjë ndryshimi në trup.
“Kanceri është sëmundje e rëndë në çdo formë, përveç kur kapet në fazat fillestare. Pavarësisht përparimeve në trajtime, sëmundjet e avancuara shpesh kanë rrjedhë të vështirë. Vizitat te mjeku janë thelbësore. Është më mirë të zbulohet herët se sa të trajtohet vonë,” përfundoi ai.