Rritet numri i fëmijëve me astmë në Shqipëri: Mjekët fajësojnë stilin e jetesës dhe mungesën e aktivitetit fizik

Rreth 5% e fëmijëve në Shqipëri rezultojnë të prekur nga astma, një sëmundje kronike që prek rrugët e frymëmarrjes dhe që sipas specialistëve po shfaq tendencë në rritje. Edhe pse mungojnë të dhëna të reja statistikore, mjekët pediatër dhe alergologë po konstatojnë gjithnjë e më shumë raste të reja gjatë punës së përditshme.
“Tek fëmijët për fat të mirë, prevalenca e astmës është akoma e ulët, pra rreth 5% e popullatës në moshë pediatrike rezulton e prekur, bazuar në të dhënat shkencore. Por ajo që ne shikojmë çdo ditë është një shtim i sëmundshmërisë, pasi edhe vetë sëmundjet alergjike janë në rritje,” – u shpreh për mediat mjekja alergologe Eris Mësonjësi.
Sipas saj, ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë përhapje janë ndryshimet në stilin e jetesës, që përfshijnë qëndrimin e gjatë në ambiente të mbyllura, mungesën e aktiviteteve në natyrë dhe ekspozimin e shtuar ndaj kimikateve.
“Përshtatja me stilin perëndimor të jetesës, mungesa e lojërave në ambient të hapur, reduktimi i sëmundjeve të thjeshta infektive që ndihmojnë në forcimin e imunitetit dhe rritja e ekspozimit ndaj kimikateve janë ndër faktorët që rrisin prevalencën e astmës,” – theksoi Mësonjësi.
Megjithatë, specialistët nënvizojnë se me trajtimin e duhur, sëmundja mund të mbahet nën kontroll. Sipas tyre, rreth 90–95% e rasteve të astmës janë të lehta deri në mesatare dhe menaxhohen me sukses me mjekim të rregullt.
“Është thelbësore që asnjë pacient me astmë të mos e ndërpresë trajtimin. Me mjekimin e duhur, ata mund të kenë një jetë aktive dhe normale, por gjithmonë mbetet rreziku i krizave të rënda gjatë jetës,” – paralajmëron mjekja.
Për të shmangur komplikacionet serioze, mjekët rekomandojnë kontroll të rregullt pranë specialistëve dhe marrjen e vaksinave antialergjike, sidomos për fëmijët që shfaqin shenja të hershme të alergjisë ose vështirësi në frymëmarrje.